MICRONEX
Zgjidhja për sipërfaqe monolite pa fuga, aplikuar dorë pas dore me kohë tharjeje dhe lëmimi mes çdo shtrese. Nga tualetet deri te dyshemetë me trafik të lartë.
Microcementi nuk është një bojë e vetme, po një sistem me disa shtresa funksionale, secila me rol të veçantë. Renditja më poshtë ndjek rendin real të aplikimit, nga baza deri te mbrojtja finale.
Aplikohet me rul mbi bazën e pastruar (beton, pllakë, gips). Hollohet sipas raportit të prodhuesit dhe krijon lidhjen molekulare mes bazës ekzistuese dhe microcementit. Pa këtë shtresë, aderimi nuk garantohet.
Armim që parandalon transmetimin e çarjeve nga baza (beton, fuga pllakash, muranti gips-karton) drejt sipërfaqes së microcementit. Nuk vendoset si shtresë e veçantë sipër — ngjitet dhe futet brenda dorës së parë, ndërkohë që ajo është ende e freskët.
Shtresa e parë strukturore, pak më e trashë, që nivelon sipërfaqen dhe fsheh çrregullimet e vogla të bazës. Lihet të thahet plotësisht dhe lëmohet lehtë përpara se të vazhdohet.
Shtresë e hollë dekorative që jep teksturën dhe ngjyrën finale të dukshme. Këtu formohen efektet karakteristike të hije-dritës të microcementit.
Në sistemet me tre dorë (zakonisht kur kërkohet thellësi më e madhe vizuale ose qëndrueshmëri shtesë në zona me trafik të lartë), shtohet edhe një shtresë e tretë fine, e njëjtë në natyrë me të dytën.
Zakonisht poliuretanike, aplikohet në dy duar. Bën sipërfaqen hidroizoluese dhe rezistente ndaj gërvishtjeve dhe njollave. Kjo shtresë ka jetëgjatësi të kufizuar dhe rifreskohet periodikisht.
Çdo shtresë e microcementit ka kohën e vet të tharjes. Nxitimi mes dorave është shkaku kryesor i çarjeve dhe defekteve — prandaj procesi zgjat disa ditë, jo disa orë.
Baza kontrollohet për lagështi, pluhur, vaj ose pjesë të lira. Çarjet dhe defektet trajtohen përpara fillimit, sepse mund të dalin në sipërfaqen finale të microcementit.
Nëse muri ka pabarazi të mëdha (jo thjesht defekte të vogla), aplikohet më parë një shtresë allçie/suvatimi nivelues, e cila lihet të thahet plotësisht (disa javë, sipas trashësisë) përpara se të fillojë amorsimi.
Amorsuesi hollohet sipas udhëzimeve të prodhuesit dhe aplikohet me rul mbi gjithë sipërfaqen. Kjo krijon urën lidhëse mes bazës dhe shtresave të microcementit që vijnë më pas.
Kur baza nuk është plotësisht e qëndrueshme (dysheme me pllaka ekzistuese, mure me fuga, gips-karton), rrjeta e fibër qelqit ngjitet dhe futet brenda dorës së parë ende të freskët. Në cepat dhe qoshet përdoret gjithashtu shirit rrjete për të parandaluar çarjet aty ku takohen dy sipërfaqe.
Nëse baza është beton monolit dhe në gjendje të mirë, ky hap mund të anashkalohet dhe kalohet direkt te dora e parë.
Microcementi përzihet sipas raportit të saktë dhe aplikohet me shpatull fleksibël, sa më hollë të jetë e mundur — "hollë për të fituar", jo trashë. Kjo bën lëmimin më të lehtë dhe zvogëlon rrezikun e çarjeve.
Pas tharjes fillestare, sipërfaqja lëmohet me letër zmerile të trashë (p.sh. 60–80 gr) dhe pastrohet me fshesë me korrent përpara dorës tjetër.
Shtresë më e hollë se e para, aplikuar me teknika manuale që krijojnë teksturën dhe efektet e hije-dritës karakteristike të microcementit. Kjo dorë përcakton pamjen finale të ngjyrës.
Lëmohet me letër zmerile më fine (p.sh. 120–180 gr) pas tharjes, për një sipërfaqe të lëmuar dhe uniforme.
Në disa sisteme (zakonisht kur klienti kërkon thellësi vizuale më të madhe ose qëndrueshmëri shtesë), shtohet edhe një dorë e tretë, e ngjashme me të dytën. Nuk është standard universal — varet nga produkti dhe zona e aplikimit.
Mikroporet natyrale të mbetura nga lëmimi mbyllen me një produkt izolues, në mënyrë që shtresa mbrojtëse që vjen më pas të mos depërtojë në mënyrë të parregullt dhe të mos lërë njolla.
Vulosësi mbrojtës aplikohet zakonisht në dy duar. Sipas produktit dhe zonës (banjo, kuzhinë, dysheme e jashtme), zgjidhet formula e duhur — jo çdo sealer është i përshtatshëm për çdo ambient.
Sipërfaqja nuk duhet shkelur për të paktën 24 orë pas vulosjes, dhe trafiku i plotë lejohet vetëm pas periudhës së plotë të kurimit të produktit specifik.
Materialet që përdoren në secilën nga shtresat e përshkruara më sipër.
Granulometri e trashë, e menduar për shtresën bazë. Nivelon shpejt dhe krijon një themel të fortë për dorën e dytë.
Granulometri fine për shtresat dekorative. Krijon teksturën ultra të lëmuar dhe efektet e hije-dritës që dallojnë microcementin.
Sistem i para-përzier që nuk kërkon matje shtesë të ujit apo rezinës. E dobishme kur konsistenca duhet e njëjtë nga dora e parë deri te e fundit.
Sistemi mbrohet nga shtresa e sealer-it, por si çdo sipërfaqe e vulosur, ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm për të ruajtur pamjen dhe mbrojtjen.
Pastrohet me ujë të vakët dhe një detergjent pH neutral. Shmangen produktet me acid ose zbardhues agresiv, të cilët dëmtojnë shtresën mbrojtëse me kalimin e kohës.
Sfungjerët ose fshirësit me sipërfaqe të ashpër mund të gërvishtin vulosjen. Përdoret gjithmonë material i butë ose leckë mikrofibre.
Edhe pse sistemi është hidroizolues, uji i mbetur për periudha të gjata (p.sh. në sipërfaqe të pjerrëta gabimisht ose difekte drenazhimi) nuk duhet lejuar të qëndrojë pa u pastruar.
Shtresa e sealer-it konsumohet ngadalë me kalimin e kohës dhe trafikun. Në zonat me përdorim intensiv (banjo, kuzhinë), rifreskimi i sealer-it këshillohet periodikisht sipas gjendjes së sipërfaqes.
Jeni arkitekt apo inxhinier? Na kontaktoni për detajet e projektit tuaj dhe do t'ju dërgojmë specifikimet e nevojshme për rastin konkret.